Vlerësimi i lidhjes kosto ekonomike – rrezik ambiental në përdorimin e herbicideve në misër

Prof. As. Dr. Ferdi Brahushi1, Prof. As. Dr. Hidajet Shehu2, Prof. As. Dr. Fran Gjoka3
1, 3Departamenti i AgroMjedisit & Ekologjisë
2Departamenti Financë-Kontabilitetit, FEA, UBT, Tiranë
  

Abstrakt

Rekomandohen shumë herbicide për kontrollin e barërave të këqija në misër (Zea Mays L.), disa nga të cilët janë të regjistruar dhe përdoren në vendin tonë.
Në praktikë, përzierja e dy ose më shumë herbicideve që mund të përdoren në të njëjtën kohë ose në vijimësi në kohë të ndryshme të ciklit bimor, është një praktikë e njohur dhe rezultative.
Ulja e kostos së përdorimit dhe rritja efektivitetit bazohet në kritere të reja aplikimi, ku shpesh rekomandohen doza të ulëta ose përzierje herbicidesh të përdorur në të njëjtin trajtim ose disa herë.
Kontrolli i barërave të këqija në misër kërkon rritjen e efektivitetit dhe uljen e kostos së përdorimit të herbicideve që varen mjaft nga përbërja e komunitetit të barërave të këqija.
Shumë modele janë propozuar kohët e fundit për: 1) vlerësimin e humbjes ekonomike të shkaktuar nga komuniteti i barërave të këqija dhe për të këshilluar zgjedhjen e mënyrës së trajtimit në kontrollin e barërave të këqija (HERB-Wilkerson et al.,1991; HERBMAST-Cussans and Rolph, 1990; WEEDSIM-Forcella et al., 1993); dhe 2) parashikimi i potencialit të ndotjes nga herbicidet. Disa nga këto modele kërkojnë të dhëna të shumta, në disa raste nevojiten më shumë se 100 të dhëna individuale dhe kërkojnë një specialist të kësaj fushe për t’i përdorur ato (GLEAMS-Leonard et al., 1987; PRZM-Carsel et al., 1984); të tjerat janë të thjeshta dhe janë përpunuar në mënyrë të tillë që lejojnë specialistët e bujqësisë dhe fermerët të zgjedhin herbicidet pa rrezik ambiental për kushte pedo-klimatike të veçanta (AF-Rao et al, 1985; GUS-Gustafson, 1989; HLP-Weber, 1991; RLPI-Hornsby et al., 1993).
Për një zgjedhje korrekte të metodës së kontrollit të barërave të këqija kërkohet një vlerësim bashkëkohor të aspekteve ekonomike dhe ambientale. Shembull i një metode që kombinon këto dy aspekte është ai i Hoag (1990) i cili vlerëson rrezikun ambiental të një trajtimi nëpërmjet vlerës toksike akute të tij (LD50) dhe përdorimit të metodave të thjeshta për të vlerësuar largimin nëpërmjet shpëlarjes të herbicidit në tokë.
Studimi ynë ka për synim vlerësimin e kostos totale të përdorimit të disa herbicideve në kontrollin e barërave të këqija në misër dhe rrezikun ambiental të përdorimit të tyre, për të konkluduar në trajtimit me kosto dhe rrezik ambiental më të ulët.

Related Articles