Veprimi kolektiv i munguar në bujqësinë shqiptare: faktorët që përcaktojnë veprimin kolektiv në një vend post-komunist

Ms.Sc. Rezear Kola, Prof. As. Engjëll Skreli, Doc. Elidiana Canaj
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT, Tiranë

 

Abstrakt

Veprimi kolektiv nuk ka qenë dhe nuk është problematik në të gjitha rrethanat. Në te dy rastet e mundshme problemet që lidhen me këtë koncept, lindin nga mosnjohja apo informacioni i pamjaftueshëm, instrumentalizimi apo konflikti i interesave prej njerëzish të përfshirë në të, por në raste jo të rralla problemet mund te lidhen edhe me vetë natyrën e ndërhyrjes që kërkohet të realizohet. Objektivi i artikullit është të zbulojë fakte mbi këtë argument, duke njohur përbërësit që kufizojnë progresin e veprimit kolektiv në këtë proces, si një mundësi për të përshpejtuar shkallën e bashkëpunimit ndërmjet grupeve të individëve në fusha të ndryshme të aktivitetit bujqësor. Një numër studiuesish te njohur botërorë kanë zhvilluar studime dhe eksperimente të ndryshme për të kuptuar dhe zhvilluar më tej aspekte që lidhen, apo ndikojnë në përgjithësi veprimin e përbashkët shoqëror. Metodologjia e përdorur do të bazohet në studimin e literaturës, në analiza dhe raste studimore të zhvilluara mbi këtë temë. Ndonëse problemet që lidhen me zbatimin e veprimit kolektiv ndryshojnë sipas rasteve, ato karakterizohen nga disa faktorë, të cilët ndërthuren ndërmjet tyre. Studimet demonstrojnë gjerësisht, se problemet që hasen gjatë zbatimit të tij, përgjithësisht konsiderohen probleme të kapërcyeshme. Në këtë drejtim, sfidë ka qenë dhe mbetet se si këta faktorë bashkëveprojnë, duke penguar apo nxitur suksesin. Shumë nga faktorët që lehtësojnë veprimin kolektiv janë identifikuar, duke përfshirë edhe vetë karakteristikat e problemit kolektiv, karakteristikat e grupit, rregullat institucionale, teknologjinë, rolin e qeverive kombëtare, si dhe aktorëve të tjerë të jashtëm. Me gjithë përparimin e rëndësishëm, shumë pyetje që lidhen me mundësitë për veprim kolektiv ende nuk janë zgjidhur. Ato gjithashtu variojnë varësisht nga problemi apo terreni përkatës. Kështu, lista e variablave të rëndësishme ndryshon (Agrawal, 2001). Në shume ekonomi në tranzicion, të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, thjesht nëpërmjet ndryshimit të regjimit dhe legjislacionit mbi pronësinë, është provuar se është kusht i pamjaftueshëm për rritjen e produktivitetit ekonomik, dhe veçanërisht për sigurimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Kështu, duke përmbledhur mund të konkludohet se në një sistem marrëdhëniesh jashtë grupit, dëshmohet se marrëdhëniet kanë evoluar ndërmjet variablave të caktuara; nëse vendimet individuale ndikojnë në të mirë, ose kundër veprimit kolektiv.

 

Fjalë kyç: Veprim kolektiv; karakteristikat e grupit; bashkëveprim faktorësh.

Related Articles