Efekti i peshës së sakrifikimit mbi cilësinë e karkasës dhe mishin e qengjave të racës Bardhoka dhe të kryqëzuar

Dritan Laçi1, Bejo Bizhga1, Bledar Bejleri1, Albana Munga1
1Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT, Tiranë

 

Abstrakt 

Ky studim është kryer në qengja që përbëheshin nga 24 femra, 23 meshkuj të plotë dhe 19 të kastruar, dhe racave: Bardhoka (n=21), Ruda x Bardhoka (n=23) dhe Shkodrania x Bardhoka (n=22). Janë studiuar efektet e sakrifikimit në cilësinë e karkasës dhe të mishit të qengjave me peshë të vogël (n = 45): 22.3 ± 2. 8 kg me moshë 60 ± 2.4 ditësh dhe qengjave me peshë të madhe (n=21): 43.1 ± 6.3 kg, 169 ± 8.9 ditësh. Pesha pas sakrifikimit ndikon, me një probabilitet (P≤0.05), në të gjithë karakteristikat e vlerësuara të karkasave. Qengjat me peshë të madhe kanë konformacion më të mirë krahasuar me qengjat me peshë të vogël respektivisht në karkasë dhe gjymtyrë (0.320 ndaj 0.190 kg/cm, 1.09 ndaj 1.07, 55.7), nivel më të mirë majmërie, respektivisht qengjat me peshë më të madhe ndaj atyre më të vogël (15.7 ndaj 7.3 mm) dhe përbërje më të mirë të indeve respektivisht qengjat me peshë më të madhe ndaj atyre më të vogël (2.9 ndaj 1.9 mish/kockë, 2.5 ndaj 2.2 mish/ind dhjamor). Megjithatë, karkasat e qengjave me peshë më të vogël kanë nivel më të lartë tregtimi krahasuar me qengjat me peshë të madhe. Në termat e matshëm të karakteristikave të mishit, vetëm pH ndikohet nga pesha në therje. Në analizimet e karakteristikave organo-leptike, vetëm seksi dhe kryqëzimet ndikojnë në fortësinë e mishit. Mishi nga femrat ose nga qengja të kastruar ishte më i butë krahasuar me atë të qengjave të pa kastruar, veçanërisht në rastet kur ato ishin qengja nga raca të kryqëzuara. Pesha e sakrifikimit ndikon në të gjithë karakteristikat organo-leptike. Mishi i qengjave me peshë të madhe kategorizohet si mish më i fortë, pëlqyeshmëri dhe aromë më të mirë.

 

Fjalë kyç: qengja, karkasë, mish, cilësi.

 

Related Articles