Përcaktimi dhe shfrytëzimi i rezervave të brendshme për rritjen e rendimentit dhe efektivitetit ekonomik të kulturës së misrit.

Mariana Nikolla, Majlinda Belegu, Irma Qinami
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT, Tiranë

 

Abstrakt 

Në këtë material trajtohen disa probleme në njohjen e saktë të rezervave të brendshme, për rritjen e rendimentit dhe uljen e kostos së kulturës së misrit. E njëjta metodë mund të përdoret me efikasitet për të bërë analiza të tilla edhe për kultura të tjera, në sektorin bujqësor por edhe në blegtori.
Në këtë studim janë përcaktuar dhe analizuar faktorët më të rëndësishëm (plehu organik, plehu kimik, uji dhe niveli i mekanizimit) që kanë ndikuar në rritjen e rendimentit të kulturës së misrit në rrethin e Lushnjës, në një hark kohor nga 2002-2009.
Nga analiza korrelative për shkallën e ndikimit të secilit faktor në rendimentin e misrit në vite kemi këtë renditje sipas rëndësisë: plehu kimik (0.71), plehu organik (0.46), niveli i mekanizimit (0.45) dhe uji (0.29). Me anë të modelit matematikor shumëfaktorial u llogarit rendimenti maksimal dhe ai i mundshëm për çdo vit, mbi bazën e përdorimit racional të faktorëve prodhues. Diferenca e këtij rendimenti me atë faktik jep rezervat maksimale të pashfrytëzuara. Më reale është konsideruar llogaritja e rezervave bazuar në rezultatet në vitet më të mira (rendimenti mbi nivelin mesatar). Në rastin e dytë, me anë të modelit shumëfaktorial u llogaritën për çdo vit rezervat e brendshme të pashfrytëzuara, të cilat janë më të vogla, por më të mundshme.
Modelet e mësipërme na shërbyen edhe për llogaritjen e rezervave për uljen e kostos së marrjes të të njëjtit rendiment. I njëjti rendiment mund të merret me shpenzime më të vogla. Për të gjithë periudhën e studimit rendimenti mund të rritej në masën 59%, ndërsa rezervat për uljen e kostos kanë qenë në masën 27.9%. Mbi bazën e rezultateve të arritura mund të hartohen dhe variantet më racionalë, për një shfrytëzim më eficient të faktorëve prodhues në arritjen e rendimentit maksimal të mundshëm, me kosto sa më të ulët.

 

 Fjalë kyç: Kosto, kultura e misrit, modeli shumëfaktorial, parametra,  rendiment.

Related Articles